Ndonëse Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, nuk morri pjesë në ceremoninë e betimit të homologut të tij maqedonas, George Ivanov. Ai do të jetë i pari kryetar i një shteti që do të takojë presidentin e sapo zgjedhur. Vizita do të kryhet më 21 maj ne Shkup. Por mos dërgimi i ftesës për pjesëmarrjen e Sejdiut në këtë ceremoni shkaktoi mjaft polemika në radhët e partive shqiptare në Maqedoni. 

Nënkryetari i  Parlamentit maqedonas,  Rafiz Haliti, thotë se kuvendi si organizator i ceremonisë ka përgatitur ftesë për Sejdiun, dhe më pas e ka dërguar atë në zyrën diplomatike të Maqedonisë në Prishtinë. Por Haliti fajëson kabinetin e Ivanovit për mos dorëzimin e kësaj ftese te kabineti i Sejdiut.

Rafiz Haliti: “Ftesa për Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, unë e konfirmoj se po ashtu është dërguar dhe është protokolluar këtu në kuvendin e republikës së Maqedonisë dhe e njëjta ftesë gjendet në zyrën diplomatike në Prishtinë”.

Megjithatë  për kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, kjo ngjarje nuk duhet politizuar.

Ali Ahmeti: “Mendoj që nuk ka nevojë për ta politizu këtë temë”.

Mungesa e Sejdiut nuk është komentuar nga zyrtarët e larte shtetit, por besohet se kjo ka lidhje me pjesëmarrjen në ceremoni të presidentit serb, Boris Tadic. Pak ditë më parë u hodh ideja e dërgimit të një ftese përmes UNMIK-ut, por kjo u kundërshtua publikisht nga presidenti i shtetit të ri./tvklan.al