Kryeministri mohon implikimin e tij dhe të funksionarëve tjerë  

Dëshmia e Orce Kamçevit, që u publikua në disa portale, i nxjerrë në sipërfaqe edhe disa emra tjerë, që deri më tani nuk janë përmendur aspak.

Sipas kësaj dëshmie, para nga familja Kamçev kishte tentuar të nxjerrë edhe një gjykatëse. Vëllai i saj kishte kërkuar 6 milionë Euro që ta lirojë nga burgu, por kjo ofertë sipas dokumentit, nuk është pranuar.

E njëjta gjykatëse ka qenë edhe në rastin “Ryshfeti” ku i akuzuar kryesor ishte Kryeministri aktual, Zoran Zaev, por që më vonë u lirua nga të gjitha akuzat.

Në dëshminë e publikuar përmenden edhe emra të politikanëve, përfshirë këtu edhe emrin e Kryeministrit. 

“Së pari i bëjmë thirrje Prokurores Publike ta konfirmoj besueshmërinë e procesverbalit, dhe është e drejtë që ajo të tregojë se a është thënë ashtu. E dyta, sigurisht që do të padisim sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë disa herë e kam hedhur poshtë çfarëdo lidhje me ‘Boki13’ lidhur me rastin “Zhvatja”, dhe sot qëndroj në atë që e kam thënë”.

Zaev beson se asnjë funksionar i lartë i partisë së tij nuk është i përzier, por premton se nëse dëshmohet se janë të përzier, përgjegjësi do të ketë. 
E opozita e ka më të qartë. Janë të bindur se Bojan Jovanovski nuk ka mundur ta kryejë këtë operacion pa përkrahjen e pushtetit, kurse nuk besojnë as në punën e Prokurores Villma Ruskoska. 

“Mos të harrojmë se Prokuroria e vonoi katër muaj hetimin. Katër muaj la hapësirë që Katica Janeva të formatojë, të fshijë kompjuter dhe të fshijë prova. E vetmja gjë që mund ta rrezikojë këtë rast, nëse hetimi nuk kryhet më shpejt dhe më profesionalisht. Të mos ndalet vetëm në këto tre që janë në paraburgim, por të hetohen të gjithë që janë të përzier dhe sa më shpejt të thirret secili për të dhënë dëshmi, përfshirë këtu edhe Zoran Zaevin për të cilin dëgjuam se është një ndër personat që e ka udhëhequr operacionin”, thotë zëdhënësi i VMRO-DPMNE, Dimçe Arsovski.

 VMRO-DPMNE kërkon që Prokuroria ta thërret edhe djalin e Katica Janevës, sepse sipas dëshmisë së Kamçevit ai ka qenë në dijeni për të gjitha lëvizjet e Bojan Jovanovskit. 

Përveç reagimeve partiake, kanë reaguar edhe nga Prokuroria. 

Prokuroria nuk i komenton informatat të nxjerra në publik, por potencon se zbulimi i informacioneve të klasifikuara nga ana e individëve është rrezik për sistemin shoqëror dhe është vepër penale. Me publikimin e dokumenteve të tilla, pengohet prezumimi i pafajësisë dhe rrezikohen jetët e personave të përfshirë si dhe vështirësohet zhvillimi i hetimit”.

Nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, informojnë se do të marrin masa për të zbuluar se si këto dokumente dolën në publik.    

Tv Klan