Ballkani po përballet me një situatë të rëndë për shkak të zjarreve masive, ndërsa Serbia është aktualisht një nga pikat më problematike të rajonit. Në vend vijon beteja me flakët në një rezervat natyror, rreth 80 kilometra nga Beogradi, ku zjarri ka djegur sipërfaqe të mëdha pyjore dhe vijon të kërcënojë zonat përreth.
Për të ndihmuar në përballimin e situatës, Bashkimi Evropian ka dërguar në Serbi katër helikopterë Black Hawk, 124 zjarrfikës dhe rreth 40 automjete nga Rumania dhe Gjermania. Në operacione është përfshirë edhe një avion rus, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se erërat e forta mund të favorizojnë përhapjen e flakëve.
Situata mbetet e vështirë edhe në Maqedoninë e Veriut, ku vala e të nxehtit dhe kushtet e thata kanë favorizuar përhapjen e zjarreve. Këto pamje tregojnë ekipet zjarrfikëse, të cilët u përballën me një situatë të vështirë gjatë natës, duke luftuar për të vënë nën kontroll një vatër zjarri në Strumicë, pranë kryeqytetit Shkup.
Ndërkohë, situata problematike raportohet edhe në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe Mal të Zi. Sipas të dhënave, gjatë gushtit zjarret kanë përfshirë më shumë se 45 mijë hektarë në të gjithë Ballkanin. Temperaturat e larta, thatësira e zgjatur dhe erërat po krijojnë kushte veçanërisht të favorshme për përhapjen e flakëve.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 