Evakuohen banorët e katër fshatrave

Në gadishullin e Eubesë në Greqi, forcat zjarrfikëse po vazhdojnë për të tretën ditë luftën me gjuhët e flakëve.

Sipas njoftimit zyrtar, në zonë po veprojnë rreth 400 trupa zjarrfikëse me 98 automjete, 5 helikopterë dhe 5 avionë zjarrfikës, tre prej të cilëve erdhën në Greqi pas kërkesës që Athina i drejtoi Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.

Gjithë përpjekjet e zjarrfikësve janë përqëndruar në kufizimin e shtrirjes së zjarrit, që po kërcënon që nga paraditja e të enjtes një rezervat të faunës së rrallë.

Për fat, nuk janë shënuar viktima në njerëz, ndërsa janë evakuar katër fshatra që rrezikoheshin më shumë nga zjarri.

Por të gjithë pajtohen se ka ndodhur një katastrofë ekologjike, përderisa janë bërë shkrumb 25 hektarë të një pylli natyral me pisha, në një zonë që konsiderohej si “Zvicra e Greqisë”. Të pallogaritshme janë edhe dëmet në kulturat bujqësore.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ndërpreu pushimet dhe vizitoi zonat e goditura nga zjarret. Ai tha se do të fillojë menjëherë inventarizimi i dëmeve dhe se gjithë fermerët e prekur do të kompensohen.

Tv Klan