Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump numëron ditët që të divorcohet nga burri i saj Donald Trump, sipas ish-ndihmëses së Presidentit amerikan Omarosa Newman.

Newman në librin “Unhinged” (Jashtë kontrollit), i cili pritet të botohet së shpejti, përshkruan ditët e kaluara në Shtëpinë e Bardhë. Ajo komenton edhe marrëdhëniet në Shtëpinë e Bardhë dhe ndër të tjera pretendon se Zonja e Parë e SHBA përzgjedh rrobat për të shfaqur një frymë pasive-agresive.

“Kur shihni rrobat që vesh Melania Trump, shihet një rebelim në stilin që ka një qëllim. Besoj se Melania shfrytëzon këtë stil për të ndëshkuar burrin e saj”,

thotë Newman, e cila pohon se Melania vesh rroba të caktuara për të përulur burrin e saj.

Newman thotë se edhe Trump, për të korrigjuar gabimet e tij, ka detyruar bashkëshorten të shkojë në qendrën ku jetojnë emigrantët. Ndaj dhe Melania veshi një pallto ku shkruhej “I really don’t care” (Me të vërtetë nuk më intereson).

Po ashtu, ish-këshilltarja pohon se martesa e Trump është në prag të përfundimit dhe se Melania dëshiron që të divorcohet pas mbarimit të mandatit presidencial.

“Mendoj se Melania numëron minutat deri në përfundimin e mandatit të burrit të saj që të mund të divorcohet nga ai”,

ka shkruar Newman.

Ajo ishte një nga afro-amerikanet e rralla në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të Trump. Ajo e mbështeti gjatë fushatës zgjedhore dhe pasi Trump u zgjodh president, Newman u bë asistentja e tij.

Ajo në librin e saj të ri përshkruan zhvillimet gjatë qëndrimit të saj në Shtëpinë e Bardhë, si dhe cilëson presidentin amerikan  racist, gjë të cilën Trump e ka mohuar./AA