Mbi 800 vendime u prishën ose ndryshuan nga Gjykata e Lartë në 2022

“Kur drejtësia vonohet, e shkuara lehtësisht mund të shqetësojë të tashmen. Roland Karaxha, u dënua me 3 vjet e 6 muaj burgim për plagosje të rëndë në vitin 2016 dhe një vit më pas me vendim të Gjykatës së Apelit Vlorë përfitoi amnisti që e liroi nga burgu. Por 5 vite nga kjo amnisti, Gjykata e Lartë në Janar të këtij viti vlerësoi se vendimi ishte i padrejtë dhe e prishi atë”.

Nëse amnistia e dhënë Roland Karaxhës në 2017 ishte e drejtë apo jo, këtë do ta vendosë Gjykata Kushtetuese, e cila e ka marrë çështjen në shqyrtim, por ende nuk është shprehur me vendim.

Stoku i krijuar në Gjykatën e Lartë, e cila për disa vite nuk arriti të funksiononte për shkak të shkarkimeve nga vetingu, nuk ka rikthyer në dyert e drejtësisë vetëm Karaxhën.

Sipas të dhënave të siguruara nga Televizioni Klan gjatë vitit 2022 janë mbi 800 vendime të Gjykatës së Lartë të cilat kanë prishur dhe rikthyer për rigjykim, apo kanë ndryshuar, vendime të gjykatave më të ulëta që datojnë nga viti 2012 deri në 2016.

Gjykata e Lartë shpesh ka urdhëruar rigjykime të dosjeve në Gjykatat e Apelit. Ndërkohë çështjet administrative dhe civile janë ato që kanë numrin më të lartë të vendimeve të konsideruara të gabuara në shkallët më të ulta.

Prej disa muajsh Gjykata e Lartë po funksionon me 15 anëtarë duke i dhënë më shumë frymë në evadimin e dosjeve stok.

Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fillim të muajit nëntor numri i dosjeve në pritje për gjykim është 30 623. Gjykata e Lartë nga nisja e punës në Prill të 2020 pas emërimit të 3 anëtarëve të parë pas bllokimit, ka arritur të shqyrtojë 9,796 çështje.

Tv Klan