Rreth 1200 efektivë të Policisë dhe Gardës së Republikës pritet të angazhohen për mbarëvajtjen e protestës të 16 Marsit të njoftuar nga opozita. Reparti special i forcave RENEA, por edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të vendosen në pjesën e pasme të godinës së Kryeministrisë. Mes Kryeministrisë dhe Piramidës janë vendosur barriera metalike për të penguar hyrjen e protestuesve drejt selisë së qeverisë.

“Pas protestës së 16 Shkurtit, ku një grup personash thyen derën e Kryeministrisë dhe tentuan të futen brenda institucionit, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë marrë masa shtesë për mbarëvajtjen e protestës. Disa kamera me rezolucion të lartë janë instaluar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të bërë të mundur identifikimin e personave problematike”.

Paraditen e së premtes, një grup ekspertësh kanë zhvilluar një takim në Kryeministri, ku siç duket nga pamjet kanë kontrolluar perimetrin e godinës së institucionit. Me ta kanë qenë edhe drejtues të lartë të zjarrfikëses. Mësohet se forcat zjarrfikëse do të vendosen sërish brenda godinës së Kryeministrisë dhe pritet të përdorin ujin nëse individë të caktuar tentojnë të hyjnë në ambientet e brendshme. Shtyllat elektrike përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku janë instaluar kamerat e reja, janë lyer me graso për të penguar çdo tentativë të ngjitjes në to për t’i dëmtuar. Është përforcuar gjithashtu edhe dera kryesore e Kryeministrisë, ku është ngritur një skelë mbrojtëse e mbuluar me rrjetë.

Gjatë protestave të fundit të zhvilluara nga opozita, Policia e Shtetit në momentin që protestuesit kanë çarë kordonin e policisë dhe kanë tentuar të sulmojnë institucionet ka hedhur në drejtim të tyre gaz lotsjellës. E njëjta taktikë pritet të përdoret edhe në protestën e paradites së të shtunës. Organizatorët vijojnë të mbajnë të fshehtë skenarin e protestës dhe nuk dihet ende nëse do të ketë fjalime dhe sa do të zgjasë ajo.

Tv Klan