Borxhi që administrata tatimore ka ndaj bizneseve për rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar ka arritur shifrën 150 milionë dollarë. Një ditë më parë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë që të shlyejë sa më parë këto detyrime, pasi ka vendosur në vështirësi ecurinë e bizneseve në vend. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve sqaron se pjesa më e madhe e detyrimit që kanë tatimet, 100 milionë dollarë, është ndaj tre kompanive të mëdha: TAP, Ayen dhe Bankers, me të cilat borxhi është skeduluar dhe do të shlyhet me këste.

Për pjesën tjetër të kompanive, kreu i tatimeve thotë se pagesat për detyrimet e tyre do të mbyllen brenda 6 muajve të parë të vitit, ku prioritet do të kenë firmat eksportuese, të cilat janë vendosur në vështirësi edhe nga rënia e euros në tregun vendas vitet e fundit.

Për periudhën Janar-Prill, tatimet shtuan me 12 milionë dollarë fondin e rimbursimit të TVSH-së ndërsa planifikohet që gjatë muajve në vijim të jepet 100% e detyrimeve në mënyrë që të mos krijohen borxhe të reja. Kjo është shifra më e lartë e borxheve që shteti ka për kthimin e TVSH-së, pas asaj që u akumulua në vitet 2005-2013, ku vlera e TVSH-së të parimbursuar arriti në 180 milionë dollarë.

Tv Klan