Forca të shumta policore garantojnë homazhet  

Kalaja e Shkupit dhe Çarshia e Vjetër që herët në mëngjes në rreze të gjerë u siguruan nga policia, forca speciale me automjete të blinduara dhe civilë, ndërsa mbi zonë fluturonte edhe helikopteri i policisë.

Tensionet në marrëdhëniet maqedonase-bullgare, gjatë javëve të fundit, të provokuara nga deklaratat nacionaliste dhe përleshjet fizike, kanë hedhur hije në 151-vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, të cilin edhe Bullgarët edhe Maqedonasit e konsiderojnë “heroin e tyre”. Delegacionet shtetërore maqedonase së pari u përkulën te varri, ndërsa u drejtuan përmes rrjeteve sociale.

“Në nder të revolucionarit maqedonas dhe heroit kombëtar, sot vendosa lule në vendprehjen e tij të përhershme”, tha Presidenti Pendarovski. 

“Qetë dhe në mënyrë dinjitoze, siç i ka hije vizonarit të madh, botëror dhe frymëzuesit të veprës dhe shtetësisë revolucionare maqedonase, Goce  Dellçevit, sot kemi dhënë nderimet tona”, u shpreh Kovaçevski.

Mbetjet mortore të Goce Dellçevit, që kur në vitin 1946 u dorëzuan nga Bullgaria,  prehen në oborrin e Kishës Shën Spasi në Shkup.

Me dekada të tëra, 4 Shkurti shënohej në mënyrë të qetë. Por “beteja” për figurën dhe veprën e Goce Dellçevit u ndez pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë në vitin 2017 dhe vetos Bullgare për rrugën evropiane të vendit. 

Klan Macedonia