Makina të shtrenjta, para, narkotikë dhe famë. Aq shumë i dëgjojmë këto motive nëpër tekstet e muzikës moderne saqë duket sikur të luftosh vetëm për të mirat materiale është strategjia e vetme e artistëve të rinj për t’i shëndërruar këngët e tyre në hit.

Por ka edhe artistë të rinj, të cilët kanë zgjedhur një strategji krejt tjetër për t’u shfaqur të veçantë përpara publikut. Në Dhjetor, Marko Strazimiri arriti të spikaste mes prurjeve të reja të “Këngës Magjike”, duke zgjedhur një tematikë ndryshe, si në vargje ashtu edhe në eksperimentalin muzikor.

Me muzikë të Adrian Hilës dhe tekst të Rovena Dilos, Marko guxoi të rrëfejë në skenë momentin e parë intim mes dy të rinjve, por jo me zhargonin që jemi mësuar të dëgjojmë në këngët rrep, por në formën e një balade pop.

Në një intervistë  për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan, këngëtari tha se ka zgjedhur tema thuajse tabu për këngët e tij. Ai shtoi se pëlqen të trajtojë tema për të cilat nuk është kënduar më parë.

“Në fillim pata dyshime për ta kënduar këngën sepse mendova se mund të hapte diskutime, por pyetëm artistë të ndryshëm të cilët na thanë se ishte normale dhe s’ka asgjë të keqe të flitet për këtë temë. Në këngën “403” donim të interpretonim diçka që e kalojnë të gjithë, por në një mënyrë tjetër që të gjithë ta kuptojnë”

, tha Strazimiri.

Por nuk do të ishte hera e fundit që ai prezantohej me një tematikë thuajse tabu. Këngën “Lejla” ai ia dedikoi vajzave të cilat bëhen nëna në moshë tepër të re.

“Këngën “Lejla” e zgjodhëm sepse është një tematikë që nuk është prekur nga askush, është lënë në hije. Ishte propozim i kompozitorit Adrian Hila dhe pranova duke marrë përgjegjësi shumë të madhe, sepse tematika ishte gjë e madhe. Në fillim e kam pasur pak të vështirë ta kuptoj, por duke dëgjuar rastet e shumta që kanë ndodhur e gjeta veten aty. Gjyshja ime në moshën 14-vjeçare është bërë nënë dhe e kemi në familje një rast të tillë”,

tregoi këngëtari.

/tvklan.al