Ashtu siç paralajmëroi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë më parë, opozita e bashkuar ka intensifikuar përshkallëzimin e mosbindjes civile  duke bllokuar akset kryesore në 12 qarqe të vendit.

Bllokimi i rrugëve në akset kryesore të vendit nisi rreth orës 18:00 dhe u mbyll me fjalimin e kryedemokratit Lulzim Basha, 2 orë më vonë.

Siç shihet edhe në pamjet e Tv Klan, protesta është shoqëruar edhe me tensione, veçanërisht në Kukës dhe Fier.

Jorida Tabaku nga studiot e ABC News deklaroi se javën e ardhshme, protesta do të zgjasë 3 orë, një orë më shumë se bllokimi i rrugëve këtë javë dhe 2 orë më shumë se një javë më parë.

Në kryeqytet protestuesit bllokuan qarkullimin në rrethrrotullinin e Shqiponjës, në hyrje të Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, tha se ky është vetëm fillimi. “

Javën e shkuar bllokuam vetëm 5 akse, këtë javë kjo iniciativë u shtri në 12 akse. Derisa Shqipërisë t’i jepet mundësia për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët do të vijojnë protestat. Javën që vjen, me 11 Maj do të kemi protestën kombëtare në Tiranë.

Kryetari i PD, Lulzim Basha iu bashkua protestuesve në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, ndërsa Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shkoi në Durrës.

Në një prononcim për gazetarët, Kryemadhi tha se mosbindja civile nuk ka filluar akoma. 

“Protesta e opozitës nuk ka të bëjë me individin Edi Rama, por me fenomenin Edi Rama, i cili ka marrë peng Shqipërinë dhe institucionet shqiptare, është problem për Shqipërinë, për të ardhmen e shqiptarëve e do të jetë problem për rajonin dhe të ardhmen e rajonit. Keni parë ndonjë vrasës serial apo kriminel ndërkombëtar, i cili dorëzohet vetë në organet e drejtësinë. Asnjë. Raste të tilla, o i kap policia, ose vriten në aksione policore. Mos pretendoni që Edi Rama të dorëzohet vetë, Rama nuk dorëzohet vetë sepse është një i çmendur që ka marrë peng një popull të tërë dhe një shtet të tërë. Problemi qëndron se mosbindja civile ende nuk ka filluar. Mosbinjda civile nuk është të bllokosh dy orë rrugët, por është të bllokosh çdo gjë, 24 orë në 24, 7 ditët e javës, ditët e muajit dhe vitit. Ata që janë në krye të vendit nuk kanë kuptuar se ajo që do të vijë, nuk kanë parë gjë akoma.”

Ish-deputetë të partive opozitare, iu bashkuan protestuesve në Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Milot, Vlorë, Dibër e Kukës.

Partia Demokratike ka njoftuar paraprakisht 12 akset që do të bllokohen, ndërsa sipas Bashës dhe Tabakut, shoferët e makinave iu bashkuan protestuesve këtë javë.

Partitë opozitare kërkojnë largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që sipas tyre do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më 11 Maj, opozita e Bashkuar do të zhvillojë protestën e 4-rt kombëtare në 3 muaj. /tvklan.al