Rëndohet situata për shkak të reshjeve të shiut

Shtimi i reshjeve të shiut gjatë fundjavës ka rënduar situatën e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. Rruga Murriqan Goricë është e përmbytur. Në Dajç niveli i ujit është rritur dhe po rrezikon edhe banesat.

Rruga e Obotit nuk kalohet as nga mjetet e ushtrisë. Një fëmijë 5-vjeçar me shenja helmimi, që prej pasdites së djeshme, vetëm mëngjesin e sotëm është bërë e mundur të transportohet në spitalin e Shkodrës, duke dalë nga fshati me varkë.

Kryebashkiakja Ademi vijon të kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe akuzon qeverinë se jo vetëm nuk po ndihmon, por është penguar përmes zgjatjes së procedurave dhënien e ndihmave për zonat e përmbytura.

Aktualisht në zonën e Shkodrës rreth 3 mijë ha tokë bujqësore është nën ujë.

Në Durrës, rrugët pranë stadiumit “Niko Dovana” janë thuajse janë të pakalueshme për shkak se uji e kalon lartësinë e trotuareve.

Ndërkaq edhe në port, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike është pezulluar puna përkohësisht në sektorin e përpunimit të mallrave, si dhe në lëvizjen e anijeve të peshkimit.

Tv Klan