30 vjet heqje lirie është dënimi për shqiptarin Xhevdet Mehmeti, 57-vjeçarin i cili një vit më parë vrau me thikë bashkëshorten e tij Elca Tereziu, 52-vjeçe.

Dënimi u dha nga Gjykata e Piacenza-s, në përfundim të një procesi me gjykim të shkurtuar, që parashikon uljen e dënimit me një të tretën. Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për shqiptarin, që u konvertua në 30 vjet burg.

Mehmeti, i cili mbrohej nga avokati Angelo Rovegno, u lirua nga akuza e keqtrajtimit në familje.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 Maj të 2018-s, në shtëpinë e çiftit shqiptar në rrugën Dante të Piacenza-s, në kulmin e një zënke mes dy bashkëshortëve.

Ai që e gjeti të ëmën dhe që dha alarmin ishte një prej dy fëmijëve, ndërkohë që 57-vjeçari u arratis, përpara se të shkonte dhe të vetëdorëzohej tek karabinierët.

Sipas mediave italiane, dy djemve iu dha një kompensim prej 250 mijë eurosh.

/tvklan.al