Specialistët e Interpol Tiranës  kryen ekstradimi nga Kosova drejt vendit tonë, të shtetasit kosovar, Burim Haxhiolli, 40 vjeç, banues në Suharekë, Kosovë.

Haxhiolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 13 vjet burg për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”  parashikuar nga nenet 143/2 dhe 287/b të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi Burim Haxhiolli në bashkëpunim me shtetasin V.K,  kanë përfituar me anë të mashtrimit shuma të mëdha nga persona të ndryshëm gjatë vitit 2009 dhe 2010 në Shqipëri. Më pas këto shuma parash i kanë transferuar nëpërmjet bankave të nivelit të dytë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë./tvklan.al