Atentati u porosit nga Cukali, u realizua nga dy kushërinjtë Jamaku

Një ditë pas arrestimit të 3 personave si autorë të dyshuar të atentatit të dështuar ndaj Gjon Menës, policia beson se për eliminimin e tij janë premtuar 40 mijë euro.

Blutë dyshojnë se Gjergj Cukali njëri prej të ndaluarve, është porositësi i vrasjes së Menës. Sipas burimeve të grupit hetimor, ai fillimisht u ka paguar dy kushërinjve Edmond dhe Enver Jamaku, shumën prej 10 mijë eurosh, për të blerë një makinë tip Fiat.

Këtë të fundit dy kushërinjtë e kanë përdorur për të ndjekur lëvizjet e viktimës që prej muajit dhjetor. Shuma tjetër prej 30 mijë eurosh do të paguhej pas vrasjes së objektivit, por dy kushërinjtë nxituan ta shpërthejnë lëndën plasëse para se shënjestra e atentatit të futej në makinën e tij tip BMVV X5.

Lënda plasëse u vendos poshtë gomës së makinës, ndërsa pas kryerjes së aktit, dy kushërinjtë u larguan drejt Zall Bastarit, ku edhe u arrestuan.

Porositja e atentatit nga Cukali dyshohet se është bërë për shkak të konflikteve të drogës jashtë Shqipërisë.

Gjergj Cukali është një emër i njohur për drejtësinë, i dënuar më parë për vrasje, gjobëvënie dhe armëmbajtje pa leje.

I skeduar nga policia është dhe Gjon Mena, shënjestra që i shpëtoi atentatit, por mbeti i gjymtuar si pasojë e shpërthimit.

Ai njihet dhe me emrin Altin Xhuxha, dhe rezulton se është dënuar për armëmbajtje pa leje, dhe është skeduar për vjedhje me dhunë në Francë dhe Itali.

Gjergj Cukali dhe dy kushërinjtë pritet të dalin të premten në Gjykatën e Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Klan News