5 persona kanë përfunduar në pranga për favorizim të ndërtimeve pa leje, në zonat e shpallura të mbrojtura në Velipojë. Bëhet fjalë për 2 punonjës policie, 1 inspektor të Policisë Bashkiake, si dhe 2 persona të tjerë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre e korrupsion.

Të arrestuarit janë P.Z., me detyrë Specialist në Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë; R.B., me detyrë SPZ, në Stacionin e Policisë Velipojë; R.K., me detyrë Inspektor i Policisë Ndërtimore në Bashkinë Shkodër. Gjithashtu të ndaluar janë edhe N.K., 45 vjeç, nga Mali Jushit, Shkodër, si dhe B.N., 37 vjeç, nga Velipoja.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra, punonjësit e Policisë dhe ai i IMT-së, dyshohet se kanë lejuar që në zonën e Velipojës (e klasifikuar si “Zonë e mbrojtur”) të kryhen ndërtime pa leje në masë. Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme për funksionarët publikë dhe dy shtetasit”,

thuhet në një njoftim për mediat nga Ministria e Brendshme.

Zbulimi i kësaj skeme erdhi pas një hetimi disa mujor me metoda pro-aktive nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës.

“SHÇBA falenderon dhe nxit qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor”

, thuhet më tej në njoftimin për mediat

.

/tvklan.al