Deputetët socialistë Shullazi dhe Kola janë bashkuar këtë radhë me kërkesën e zogistëve dhe demokratëve sipas së cilës, Leka Zogut duhet t’i jepet amnistia. Nëse për zogistët kjo është normale, firmat e dy socialistëve do të krijojnë një debat në gjirin e parlamentarëve të mazhorancës. Sinjalin e parë e ka lëshur sot kryetari Nano në konferencën e Partisë Socialiste të kryeqytetit. Nano u shpreh sot se Tirana duhet pastruar nga plehrat por dhe nga emri që mban një rrugë kryesore e kryeqytetit.

Nënkryetari i Kuvendit Namik Dokle, lidhur me firmën e kolegëve të tij për amnisti ndaj Lega Zogut i cili është shpallur në kërkim nga policia, pohon:

“Mendoj se në gjithë listën e deputetëve që kanë nënshkruar për këtë çeshtje, kanë të drejtë morale dhe politike t’a bëjnë, Spartak Ngjela dhe Guri Durullari. Të gjithë të tjerët janë mashtrues politik.”

Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun pranë Partisë Socialiste Luan Rama shprehet:

“Unë do të thoja është lajthitje dhe papërgjegjshmëri politike që duhet diskutuar me përgjegjësinë më të madhe në forumet përkatëse duke filluar nga grupi parlamentar.”/tvklan.al