Mbrojtësi i jep fitoren, triumfojnë Lioni e Monako

Paris Saint Germain ruan pathyeshmërinë në kampionatin francez, teksa ka shënuar edhe fitoren e shtatë radhazi në po kaq javë. Skuadra kryeqytetase mposhti në limitet e kohës së rregullt, 1-2 Metz falë edhe ish-mbrojtësit të Interit, Achraf Hakimi.

Marokeni shënoi të dy golat e fitores për parizienët të cilët krijojnë edhe diferencë të konsiderueshme me rivalët. Hakimi hapi dhe mbylli llogaritë e sfidës, me mbrojtësin që shënoi golin me vlerën e tre pikëve në minutën e katërt shtesë. Tashmë, PSG qëndron në vendin e parë me 21 pikë.

Fitore komode regjistroi dhe Lioni, 3-1 përballë Trojes. Protagonist dhe futbollisti me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri. Lojtari i kombëtares zviceriane shënoi golin e barazimit momental 1-1 dhe i hapi udhë fitores së ekipit të tij. Ky tre pikësh e ngjit Lionin në vendin e 6-të me 11 pikë.

Te fitorja u rikthye dhe Monako, që lë pas dy rezultate zhgënjyese dhe pas 3 me 1 ndaj Saint Etienne ngjitet në kuotën e 8 pikëve në vendin e 13-të.

Klan News