Drejtuesi i kësaj makine “Mercedez- Benz”, u dogj brenda saj rreth orës 1:50 minuta, pas mesnate në rrugën nacionale pranë Ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan.

Automjeti i 24-vjeçarit Klodian Korançe doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të këtij servisi makinash. Viktima nuk ka pasur mundësi shpëtimi. Nga veprimet e para të policisë rrugore, dyshohet si shkak i aksidentit të jetë bërë dalja nga rruga e mjetit nga pagjumësia apo shpejtësia.

Sipas policisë mjeti ka rënë në flakë menjëherë pas përplasjes. Ende nuk dihet shkaku i djegies, por dyshimet e policisë janë se makina ka marrë flakë për shkak të rrjedhjes së gazit, të cilin makina e përdorte si lëndë djegëse.

Nga përplasja e makinës me murin rrethues dhe më pas në oborrin e servisit, është djegur pjesërisht edhe kjo makinë e policisë e cila ndodhej aty. Për shkak të rrethanave të rënda në të cilën ka ndodhur ngjarja veprimet e mëtejshme pritet të kryhen nga ekspertë më të specializuar  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për përcaktimin e saktë të shkakut të  daljes nga rruga dhe të shpërthimit të automjetit.

Tv Klan