Vazhdojnë debatet midis ministrisë së Bujqësisë dhe Partisë Socialiste për çështjen e farës së misrit. Paraditen e së mërkurës ministri i Bujqësisë Jemin Gjana i cilësoi si të pavërteta akuza për mungesë të kontrollit për farat e misrit.

Jemin Gjana: “Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e ka monitoruar dhe po e monitoron hap pas hapi këtë proces, por pavarësisht deklaratave politike të opozitës. Raportet mes subjekteve private zgjidhen sipas normave ligjore dhe shteti nuk merr përsipër të paguaj për llogari të kompanive private, ata do ta dëmshpërblejnë sipas normave ligjore të ekonomisë së tregut fermerin e dëmtuar.”

Nga ana tjetër Partia Socialiste ka vijuar me akuzat ndaj qeverisë përgjegjëse për këtë situatë.

Mimi Kodheli: “Nuk është aspak dinjitoze për një qeveri që tu kthejë kurrizin qytetarëve të dëmtuar, siç janë dëmtuar mijëra familje në fshat, të cilave sot ministri i qeverisë Berisha u tregoi se për këtë qeveri në fshat nuk ka njerëz, por qenie të gjalla që duhet ta gjejnë vetë rrugën e mbijetesës edhe kur për faj të shtetit mashtrohen nga privati që u shiste farë misri fallso.”

Vetëm disa ditë më parë në Elbasan dhe Dibër fermerët kanë vërejtur se misri i prodhuar ishte steril. Sipas ministrisë së bujqësisë bëhet fjalë për një sipërfaqe prej rreth 145 hektarësh./tvklan.al

Gazetar: Fjoral Zguro