Gjermania është donatori kryesor i Shqipërisë. Teksa në këto 20 vite bashkëpunimi ka dhënë rreth 800 mln euro ndihmë ekonomike. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë Bernd Borchardt (Boshard), ishte i pranishëm këtë fundjavë në zonën e Pogradecit ku u njoh nga afër me disa prej projekteve ku janë kanalizuar fondet gjermane.

Ndalesa e parë ishte inaugurimi i stacionit të pompave në Pogradec, në prani dhe të kryeministrit Berisha. Pjesë e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Pogradec është edhe ky impiant përpunimi falë të cilit do të garantohet pastërtia e ujit të liqenit. Ndërsa kjo është depoja e furnizimit me ujë vetëm pak metra larg liqenit, për të cilën ka ndihmuar me financime dhe KFV-ja.

Ambasadori udhëtoj edhe drejt zonave të thella të Pogradecit, ku janë shpërndarë disa prej grandeve gjermane. Këtu jemi në fshatin Peshkëpi, mjaft afër kufirit maqedonas. Në këtë fshat me rreth 250 banorë, fondacioni gjerman … po zbaton disa projekte që tentojnë të përmirësojnë jetën e komunitetit si në drejtim të arsimimit dhe të përgatitjes profesionale ashtu edhe në drejtim të shërbimeve shëndetësore. Ambasadori gjerman tha se vetëm për zonën e Pogradecit janë dhënë rreth 30 mln euro.

Bernd Borchardt: “Në këto 20 vjet bashkëpunimi për zhvillimin është rritur volumi i financimeve të akorduar për Shqipërinë duke shkuar në rreth 800 mln euro. Pogradeci është pjesë e kontributit që ne po japim. Këtu po financojmë në sistemin e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve me një fond që arrin deri në 30 mln euro. Qëllimi kryesor është mbrojtja e mjedisit në zonën e Pogradecit, po ashtu do të vijojmë edhe me një projekt për përpunimin e mbetjeve të ngurta”.

Ndërkohë ambasadori shton se brenda këtij muaji në Tiranë pritet të mbahet një konferencë e cila tenton të thithë investimet private gjermanë në Shqipëri, sidomos në sektorët e energjisë dhe të ndërtimit./tvklan.al

Gazetari: Fjoraldi Zguro

Montazh: Ergis Hasanbelli