Socialistët e konsiderojnë si të parealizueshme përpara zgjedhjeve parlamentare reformën e re territoriale për të cilën pak ditë më parë kreu i qeverisë në një takim me përfaqësues të shoqatave të bashkive të rajonit kërkoi konsensusin e opozitës.

Në një intervistë për TV Klan sekretari organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Klosi, thotë se propozimi i kahershëm i selisë rozë për këtë projekt duhet të kalojë më parë në filtrin e një komisioni bipartizan.

Blendi Klosi: “Duhet të jetë një reformë bipartizane dhe ne kemi kërkuar që prej më shumë se sa dy vjetësh që në parlamentin shqiptar të ngrihet një grup, i cili do të merret drejtpërsëdrejti me këtë reformë. Shpresojmë që kjo është në planet e kryeministrit për një salamandër të re elektorale, e cila do t’i shërbejë manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme.”

Duke e cilësuar jetike këtë reformë Klosi rithekson propozimet e selisë rozë që sipas tij kanë të bëjnë me reduktimin e bashkive, komunave dhe qarqeve.

Blendi Klosi: “Vazhdojnë që komunat dhe bashkitë të jenë me ndarje dhe me numrin e popullsisë që kanë pasur në vitin 1990. Një gjë e papranueshme për realitetin e sotëm. Kërkojmë që kjo reformë të ketë lidhje me reduktimin e numrit të njësive të pushtetit vendor, të ketë lidhje me reduktimin e stafeve dhe shpenzimeve marramendëse që këto stafe kanë dhe po ashtu që të jetë një reformë, e cila të marrë mirë parasysh lëvizjet demografike të Shqipërisë”.

Sipas ligjit të vitit 2000 për përmirësimin e pushtetit vendor organet lokale ushtrojnë aktivitetin e tyre në përputhje me parimin e autonomisë duke mbajtur lidhje me pushtetin qendror.

Në bazë të kësaj ndarje territoriale Shqipëria ka 12 qarqe, 36 rrethe, 65 bashki, 309 komuna dhe 3020 fshatra./tvklan.al