Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri la banesën e tij në lagjen “Kodra e Diellit” në Tiranë rreth orës 13:10 minuta të së hënës, ku qëndron prej 16 ditësh, pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që në 12 Maj e la në “arrest shtëpie”.

Ai është shoqëruar nga një makinë e Policisë së Shtetit me xhama të errët, e cila është kujdesur të shmangë kamerat dhe gazetarët në daljen nga pallati. Mbërriti në Gjykatën e Krimeve të Rënda 20 minuta më pas, ku Apeli do të vendosë për masën e tij.

Grupi i prokurorëve kërkoi dërgimin në qeli të ish-Ministrit të Brendshëm, të cilin e akuzon për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në bashkëpunim me grupin e trafikantëve të drogës të vëllezërve “Habilaj” dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë.

Përpara seancës, avokati i Tahirit, Maks Haxhia tha se prokuroria nuk ka prova dhe se klienti i tij duhet të lirohet. Ai i ka kthyer një përgjigje edhe deklaratës së Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu që një ditë më parë foli për presione, kërcënime dhe korruptim për gjykatësit.

“Kemi lexuar dhe rilexuar, disa herë deklaratën ose më saktë mesazhin e ambasadorit Donald Lu. Mund të them që ishte një mesazh shumë dimensional. Atë mesazh unë e ndava në dy pjesë. Mesazhin e qarkullimit të opinioneve siç ndodh gjithmonë në Shqipëri kur ka cështje të tilla pikante ose me probleme socialo-politike ose dhe metoda të tilla që kur duan që vendimi të jepet kundër, hapen fjalë që ushtrohen presione dhe jepen para. Ajo që mua më intereson mua si specialist i së drejtës dhe në detyrën e avokatit Tahiri është mesazhi i zotit Lu që gjykata duhet të gjykojë në prova dhe në ligj. Dhe nëse gjykojë në prova dhe në ligj, zotit Tahiri duhet t’i hiqet sot masa e arrestit në shtëpi”, 

tha Haxhia.

Edhe vetë Tahiri pretendon se prokuroria nuk ka prova, por akuza thotë se me faktet që disponon, ish-Ministri i Brendshëm duhet të mbahet në qeli.

Tv Klan