Bashkëthemeluesi i Wikileaks, Julian Assange është arrestuar këtë të enjte në Ambasadën Ekuadoriane në Londër. Assange u strehua në këtë ambasadë 7 vjet më parë, për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku akuzohej për ngacmim seksual, një çështje që tashmë është pushuar nga autoritetet atje.

Policia Metropolitane tha se Assange u arrestua pasi nuk iu dorëzua gjykatës. Ai kërkohej nga policia britanike pasi në Gusht të 2012-s, teksa ndodhej nën hetim nga Suedia, u la në liri me kusht nga gjykata pasi pagoi një garanci, por nuk u paraqit më para organeve të drejtësisë.

Ndërkohë Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno tha se e kishte refuzuar kërkesën e Assange për azil, për shkak të

‘shkeljeve të vazhdueshme të konventave ndërkombëtare’

.

Vetë Wikileaks, me anë të një postimi në Twitter e cilësoi vendimin e Ekuadorit për të ndërprerë azilin politik të Assange të jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Ministri i Brendshëm britanik, Sajid Javid konfirmoi në një postim në Twitter se Julian Assange ishte arrestuar dhe se do të përballej me drejtësinë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai falenderoi Ekuadorin për bashkëpunimin dhe policinë për profesionalizmin. “

Askush nuk është mbi ligjin”

, shkruajti Javid.

47-vjeçari Assange kishte refuzuar që të largohej nga Ambasada Ekuadoriane, duke deklaruar se nëse do ta bënte një gjë të tillë do të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u marrë në pyetje për aktivitetet e WikiLeaks.

/tvklan.al