“Të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se rreziku më i madh për për shëndetin dhe ekonominë e tyre është ‘Ramavirusi’”. Kështu e nis postimin në rrjetet sociale kreu i PD-së Lulzim Basha, pas vizitës që ka kryer në zonën e kënetës në Durrës.

Ai thotë se ka takuar me qindra qytetarë të cilët janë rrënuar nga pandemia ekonomike e qeverisë.

“Si kudo në Shqipëri, edhe këtu RAMAVIRUSI ka shkatërruar ekonominë dhe vendet e punës, duke shtuar hallet për këta banorë të goditur rëndë edhe nga tërmeti i 26 nëntorit. RAMAVIRUSI është pandemia që torturon tash 7 vjet shqiptarët”, shkruan Basha, i cili shton se populli ka paguar rritje taksash këto 7 vite si askush tjetër.

“Në vend që të ndihmonte qytetarët paratë vazhdoi ti çonte te oligarkët. Vetëm pardje thesari i shtetit pagoi 700 mijë euro të parave tuaja, të taksave tuaja për inceneratorin e Tiranës. Për ti hapur rrugë ndërtimit të kullave, shembi Teatrin dhe do të marrë 30 milionë euro borxh. Sepse interesi i Edi Ramës nuk janë qytetarët që sot janë në pamundësi”, shkruan Basha.

Si zgjidhje kreu i demokratëve mendon një qeveri që duhet të kujdeset për qytetarët.

“Unë dhe Partia Demokratike kemi vullnetin, vizionin, përvojën dhe dëshirën për t’i shërbyer qytetarëve. Vërtet nuk ka ende vaksinë për koronavirusin, por ka vaksinë për RAMAVIRUSIN dhe ky është bashkimi ynë për të sjellë ndryshimin që pret çdo shqiptar: një qeveri normale për t’i garantuar qytetarëve një jetë normale dhe me dinjitet”, tha Basha./tvklan.al