Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur pro listave 100% të hapura për zgjedhjet e ardhshme.

Basha ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku tha se listat e hapura i do e gjithë opozita e bashkuar.

Kryeopozitari deklaroi se është ndër të tjera për një listë alfabetike për kandidatët për deputetë, pasi sipas tij në këtë mënyrë marrin aq vota sa meritojnë. 

Blendi Fevziu: Lista të hapura, pjesërisht të hapura apo të mbyllura z. Basha?

Lulzim Basha: 100% të hapura.

Blendi Fevziu: 100% të hapura është kusht, apo do të bëni përpjekje?

Lulzim Basha: Ne do të bëjmë përpjekjen tonë dhe ky është një qëndrim që ne e kemi shpallur publikisht dhe që e ka mbështetur e gjithë opozita e bashkuar.

Blendi Fevziu: 100% të hapura në nivelin që jemi aktualisht, pra rajonale me 12 rajone, me 4 rajone apo me një listë kombëtare?

Lulzim Basha: Sistemi nuk ndryshon kaq vonë, do të jenë 12 rajonet në të cilat në qoftë se propozimi ynë pranohet, qytetari do ta ketë vetë në dorë të zgjedhë deputetin e tij.

Blendi Fevziu: Ka dy pikëpyetje këtu ose dy mënyra si funksionon. Doja të dija thjesht mendimin tuaj pavarësisht se duket si teknikalitet. Një propozim është kur partia e rendit pra listën për kandidatët e saj për qarkun dhe pastaj secili në listë mund të marrë votat e tij, pra duke vënë emrin e të parit, e të dytit sipas preferencës së partisë dhe një e dytë që lista bëhet sipas bazët alfabetike duke vënë preferencën e partisë, natyrisht ndikon te një pjesë e votuesve që të ndjekin këtë linjë. Ju për cilën nga të dyja modelet jeni?

Lulzim Basha: Për të dytën.

Blendi Fevziu: Për të dytën, pra listë alfabetike të hapur që secili të marrë aq vota sa meriton./tvklan.al