Djegiet janë ndër aksidentet më të zakonshme shtëpiake, veçanërisht midis fëmijëve. Për fat të mirë, djegiet e shkallës së parë dhe djegiet e shkallës së dytë mund të trajtohen në shtëpi.

Një djegie konsiderohet e shkallës së parë nëse prek vetëm shtresën e jashtme të lëkurës dhe shkakton dhimbje të lehtë, skuqje dhe ënjtje. Djegiet e shkallës së dytë ndikojnë në shtresat më të thella të lëkurës dhe shkaktojnë flluska. Djegiet e shkallës së tretë dhe të katërt janë djegie të rënda dhe duhen trajtuar vetëm në spital.

Djegiet normalisht të lehta shërohen në një ose dy javë. Kur pësoni një djegie të vogël, menjëherë kaloni ujë të freskët mbi zonën e djegur për rreth 20 minuta. Më pas mund të lani zonën e djegur me ujë dhe sapun të butë. Vendosja e kompresës së ftohtë mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve dhe ënjtjeve.

Mjalti dhe xheli i aloe verës janë mjete të tjera të efektshme në shtëpi për djegiet e vogla. Por njerëzit gjithashtu po përdorin disa ilaçe shtëpiake të çuditshme për trajtimin e djegieve që në fakt i bëjnë djegiet më keq. Më poshtë janë listuar pesë ilaçe shtëpiake që nuk duhet t’i përdorni kurrë nëse digjeni.

Gjalpë: Gjalpi ruan nxehtësinë prandaj ky ilaç shtëpiak mund të bëjë që djegia juaj të përkeqësohet. Gjithashtu, gjalpi mund të përmbajë baktere të dëmshme që mund të infektojnë lëkurën e djegur.

Vajrat: Ashtu si gjalpi edhe vajra të tilla si vaji i kokosit, vaj ulliri ose vajra gatimi, mbajnë nxehtësinë. Vendosja e vajrave në pjesën e djegur mund të përkeqësojë gjendjen në vend që ta shërojë atë.

Të bardhat e vezëve: Kjo është një nga përrallat e famshme e gjysheve për trajtimin e djegies. Por aplikimi i të bardhave të vezëve të papjekura në djegie mund të rrisë rrezikun e infeksionit bakterial. Vezët gjithashtu mund të çojnë në një reaksion alergjik.

Pastë dhëmbësh: Shumë njerëz e përdorin pastën e dhëmbëve si një ilaç i ndihmës së parë për djegiet e shkallës së parë. Por përbërësit e saj mund të irritojnë djegien dhe të shkaktojnë më shumë dëme.

Akulli: Vendosja e akullit dhe ujit shumë të ftohtë mbi djegie mund të zvogëlojë qarkullimin dhe ta bëjë djegien më keq. Nëse përdoret në mënyrë jo të duhur, akulli mund të shkaktojë edhe një djegie të ftohtë. /tvklan.al