Instituti i Ndërtimit: Godina jashtë çdo standardi, rrezikon jetë njerëzish

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar mbrëmjen e të enjtes, në një mbledhje online, prishjen e Teatrit Kombëtar. Vota pro e 60 nga 62 anëtarëve të Këshillit vjen vetëm pak ditë pasi qeveria vendosi t’ia kalojë teatrin Bashkisë në pronësi.

Vendimi u bazua në një akt-ekspertizë të bërë nga Instituti i Ndërtimit, në të cilin thuhet se godina e Teatrit Kombëtar, e ndërtuar që në vitin 1938, ka dëmtime dhe përkulje në disa zona të soletës, degradim të sipërfaqes dhe materialeve për shkak të cilësisë dhe vjetërsisë, cedime të dherave në pjesën e skenës rrotulluese dhe degradim të bazamentit mbajtës, ç’ka rrezikon aftësinë mbajtëse të tyre.

Akt-ekspertimi i bërë në vitin 2018 nga Instituti i Ndërtimit vlerëson se kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve dhe se janë jashtë normave të projektimit e shfrytëzimit të godinës.

Ekspertët kishin arritur në përfundimin se riparimi i objektit në 90% të tij dhe sjellja e godinës në kushtet teknike të sotme përbën vështirësi dhe se kërkon një kosto shumë të madhe. Për këtë arsye sugjeruan shembjen e godinës, pasi sipas tyre është jashtë normave të projektimit duke rrezikuar deri jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Në një tjetër mbledhje, të parashikuar për ditën e hënë, Këshillit Bashkiak i Tiranës do të votojë projektvendimin për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Pas ndërprerjes së negociatave me privatët, Bashkia do të marrë një kredi nën garancinë e qeverisë për realizimin e projektit të ri.

Tv Klan