Kosova jep 233 mijë Euro për shkarkimin e 4 krerëve të komunave

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka akuzuar Kosovën e Serbinë se nuk kanë punuar mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Stano ka thënë se procesi i përgatitjes së dialogut duhet të trajtohet me anë të punës dhe jo të komenteve në publik.

“Fatkeqësisht, nuk është punuar shumë për zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve. E kemi thënë shumë herë se procesi i përgatitjes së dialogut në hapa individualë, në faza individuale është diçka që supozohet të trajtohet pikërisht në procesin e punës dhe në nivelin e punës dhe jo të zhvillohet e të komentohet në publik çdo ditë.”

Kur u pyet për takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara Marko Gjuriç me protagonistin e sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiç, Stano ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë, dënimi i atij akti.

Ndërkaq Kosova në plotësim të kërkesës së Brukselit do të organizojë më 21 prill votimin për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave në Veri.

KQZ miratoi buxhetin prej mbi 233 mijë eurosh për organizimin e këtij procesi në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut.

Shkarkimi i kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave hap rrugën për zgjedhje të reja, kërkesë që ndërlidhet me masat ndëshkuese ende në fuqi për Kosovën.

Klan News