Kreu i Partisë “Bashkimi Demokratik për Integrim” në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti thotë se masat e BE-së dhe SHBA-ve ndaj Kosovës duhet të jenë një alarm për qeverinë e Albin Kurtit. Në një prononcim që i dha Ekonomia Online, Ahmeti thotë se qeveria në Prishtinë nuk duhet të cenojë raportet me aleatët.

“Unë mendoj që të gjithë klasën politike në Kosovë, në veçanti qeverinë e Kosovës duhet ta vënë në alarm sepse të gjithë këta aleat, SHBA me aleatët e vet në NATO ishin ata që na ndihmuan në çlirimin e Kosovës. Lirinë e paguam me gjake, por çlirimin e bëmë më aleatët”.

Edhe procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, Ahmeti e sheh të lidhur me raportet me partnerët.

“Kosovës i duhen miqtë, i duhet Washington, i duhet Brukseli, i duhet Berlini, i duhet Londra, Parisi, Vjena të gjithë i duhen për ta përmbyllur me sukses të gjithë procesin e shtetit të kompletuar”.

Sipas Ali Ahmetit Kosova ka përpara një proces tepër të rëndësishëm të integrimit të vendit për të cilin i duhet ndihma e ndërkombëtarëve.

Tv Klan