Kjo është salla e teatrit të krishtlindjeve në stadiumin “Galatsi” në veri të Athinës, që do të presë kryeministrin Edi Rama të dielën, së bashku me rreth 600 emigrantë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj.

Klan Neës sjell këto pamje nga parapërgatitjete eventin për të cilin ka punuar këtë muaj stafi i PS dhe kryeministrisë shqiptare duke koordinuar me palën greke elementët që kanë të bëjnë me sigurinë, ndriçimin, foninë dhe pastrimin.

Sipas mediave greke në dispozicion të takimit të kryeministrit shqiptar do të jenë qindra punonjës policie, për të siguruar kalimin e qetë të Ramës në vendin ku do të zhvillohet fjalimi dhe për të garantuar sigurinë e tij deri në momentin e largimit.

Rama vetë do të shoqërohet nga afërsisht 150 persona, të cilët do të jenë anëtarë të kabinetit të tij, deputetë dhe  gazetarë, të cilët do të jenë në pallatin e sportit Galatsi.

Rreth orës 11, kryeministri do të mbajë fjalimin, që do të përmbajë dhe propozim që do të mundësonte votimin me postë të emigrantëve. Ndër të tjera pritet të shpallë emrat e 20 shqiptarëve që janë dalluar në Greqi, secili në fushën e tij, persona që do të marrin rol aktiv në fushatën e tij elektorale.

Shqipëria 2030 si dhe perspektiva e vendit drejt Bashkimit Europian, pritet të jetë pjesë e fjalimit të kryeministrit Rama përpara shqiptarëve në Greqi.

Kjo vizitë në Greqi zhvillohet 1 vit pas arrestimit të Fredi Belerit, dhe pak javë pas shpalljes së tij nga Athina zyrtare si kandidat për eurodeputet. Por ndonëse në këto rrethana, socialistët mohojnë që kjo vizitë të ketë qëllime tendencioze.

Axhenda parashikohet të përmbyllet rreth orës 18:00 me një performancë të këngëtarit shqiptar Noizy.

Klan News