Negociatat e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po diskutohen në takimin dyditore të Këshillit të Punëve të Jashtme të bllokut. Krerët e diplomacisë së 27 vendeve anëtare do të disktojnë angazhimin e tyre me partnerët në Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell do t’u paraqesë ministrave një dokument strategjik ku shprehet qëllimi i qartë i hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

“Sot çështja më e rëndësishme e axhendës është gjendja në Ballkanin Perëndimor. Ne duam të shohim situatën në përgjithësi dhe më pas të gjejmë mënyrën për t’u angazhuar më shumë në rajon, duke nënvizuar rëndësinë që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Europian. Gjithashtu do të shohim se si mund t’i japim rajonit një perspektivë më të mirë dhe më të fortë europiane.”

Synimi i Komisionit është thirrja e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë në muajin Qershor, pas vlerësimit pozitiv që vendi mori për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit.

Në axhendë është edhe ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut pasi kjo e fundit vazhdon të ketë mosmarrëveshje me Bullgarinë për çështjet historike dhe procesi është i bllokuar nga vetoja.

Ndarjen e dy vendeve në procesin e negociatave e paralajmëroi komisionari për Zgjerimin, Oliver Varlehly gjatë vizitës së tij të fundit në rajon, por një ide e tillë është kundërshtuar nga Gjermania.

Në vizitën e tij të fundit në Bruksel kryeministri maqedonas Zoran Zaev me presidenten Ursulavon Der Lyen tha se Shkupi e bëri punën e vet, tani është radha e BE-së të mbajë premtimin.

Vendimi përfundimtar për negociatat i takon Këshillit Europian.

Klan News