Etrit Berisha fitoi përballjen direkte me Thomas Strakoshën në Serie A.

Atalanta mundi Lazion me rezultatin 1 – 0 të hënën në Bergamo me portierin Berisha që mori vlerësime për paraqitjen e tij.

“Gazzetta Dello Sport” i vendosi notën 7, duke e cilësuar tepër të zotin me pritjet e tij te goditjet e Immobile dhe Milinkovic menjëherë pas avantazhit të bergamaskëve.

Vlerësimi për të ishte i njëjtë me atë të shënuesit të golit Duvan Zapata. Në krahun tjetër Thomas Strakosha mori notën 5,5. Edhe pse nuk ka faj për golin, për të nuk ishte një mbrëmje e mirë. Lazio po humbet terren me rivalët për një vend në Champions, pasi në 5 ndeshjet e fundit ka marrë 4 pikë, duke harruar të fitojë. Tek Atalanta që po ngjitet të renditje pati një paraqitje të mirë edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti.

Tv Klan