Presidenti amerikan Joe Biden po përballet me presion në rritje nga brenda administratës së tij, për të hequr disa kufizime të rëndësishme në strategjinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën kundër rusëve, që deri më tani konsiderohen si vija të kuqë për shmangien e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore.

Prestigjozja New York Times shkruan se Sekretari i Shtetit Antony Blinken është në krye të përpjekjeve dhe i kërkon shefit të tij të heqë ndalimin që i ka bërë ushtrisë ukrainase për të përdorur armët amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë.

Sipas një marrëveshjeje paraprake, Kievi ka rënë dakord të mos i përdorë topat e raketat amerikane për këtë qëllim.

Londra, Parisi dhe vende të tjera europiane ua kanë dhënë këtë leje ukrainasve për armët e tyre. Moska ka paralajmëruar se nëse kjo ndodh, do të godasë objektivat e vendeve të origjinës së këtyre armëve.

New York Times shkruan po ashtu se Bidenit po i kërkohet edhe të lejojë dërgimin e trupave amerikanë në Ukrainë, për të stërvitur ushtarët vendas, një propozim që mes partnerëve europianë po merr gjithnjë e më shumë mbështetje, por që Biden deri më tani e ka refuzuar kategorikisht.

Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse vendet e NATO-s dërgojnë trupa në Ukrainë, kundërpërgjigjia ndaj tyre do të jetë si të kishin pushtuar territoret ruse.

Tv Klan