Çdo 17 sekonda ndërron jetë një pacient

Çdo 17 sekonda, Covid-19 i merr jetën një personi në rajonin e Europës. Konstatimi i frikshëm vjen nga OBSH, sipas të cilës në këtë rajon vetëm këtë muaj janë shënuar 25% e totalit të infektimeve.  

“Gjatë dy javëve të fundit, vdekjet nga Covid-19 janë shtuar me 18%. 29 mijë vdekje u shënuan javën e kaluar në Europë, çka tregon se çdo 17 sekonda një person humb jetën nga Covid-19 në këtë rajon”.

Si rajon ku krahas vendeve të kontinentit përfshihen edhe ato ish-sovjetike, Europa ka numrin më të lartë të viktimave mbi 355 mijë, mes 15.7 milionë rasteve të prekurve, shifra këto që e rendisin në krye të renditjes globale.

Vala e dytë e pandemisë në Itali po ecën me hapat e të parës. Ditët e fundit kanë shënuar rekorde negative viktimash ditore ku shifra më e lartë u regjistrua të mërkurën me 753 raste. Po ashtu si në valën e parë, shifra të larta vdekjesh po shënohen në azilet e të moshuarve. Përveç Francës që ka shpallur karantinën kombëtare, shifrat e larta të infektimeve vijojnë të jenë problematike në shumicën e vendeve të tjera të unionit.  

Bilancin më të rëndë, këtë 24 orësh e kishin sërish Shtetet e Bashkuara ku u shënuan të tjera rekorde negative të valës së dytë me gati 2 mijë viktima në një ditë.

Tv Klan