Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë shkaktuar një konfuzion të madh përsa i përket shtrirjes së misionit të EULEX-it në Kosovë.

Kështu Pierre Mirel nga komisioni evropian deklaroi në Beograd se unioni tashmë ka pranuar kushtet e qeverisë serbe për vendosjen e këtij misioni.

Këto kushte sipas tij shndërrojnë EULEKS-in në një mision neutral karshi statusit të Kosovës derisa vënë atë tërësisht nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.

Ndaj këtyre deklaratave menjëherë ka reaguar Peter Feith, përfaqësues civil ndërkombëtar në vend.

Në një komunikatë për media ai ka deklaruar se Pierre Mirel nuk përfaqëson qëndrimin e Bashkimit Evropian, derisa është shprehur se bisedimet për vendosjen e EULEKS-it po vazhdojnë.

Qeveria e Kosovës ende nuk është deklaruar ndaj kësaj çështje duke i krijuar kështu hapësirë opozitës për kritika.

“Ekziston shqetësimi tek socialdemokratët që pikërisht mungesa e një vizioni të institucioneve të Kosovës karshi këtyre problemeve dhe rehatia politike, e cila i ka zënë këto institucione do të lërë shumë boshllëqe në kuptim të ndonjë mekanizmi ndërkombëtar, i cili ndonjë formë nuk do të mund t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve të Kosovës.”

Komentatori politik, Mufail Limani, mendon se do të ishte e dëmshme nëse Bashkimi Evropian pranon kushtet e Beogradit.

Mufail Limani: “Po qe se takimi i EULEKS neutral ndaj statusit ne do të vazhdojmë të jetojmë me një UNMIK të transformuar në një UNMIK tjetër dhe nuk shoh se si do të zgjidhet problemi i integritetit territorial dhe nuk shoh se si do të zgjidhet problemi i vendosjes së ligjshmërisë në Kosovë që është parakusht edhe për zhvillimin ekonomik edhe për misionet sociale, dhe për të gjitha synimet që i kemi shpreh si synime kombëtare”.

Beogradi nuk pranon vendosjen e EULEX-it në Kosovë nëse ai do t’i nënshtrohej ligjeve të republikës së Kosovës. Kjo qasje e Serbisë ka detyruar Brukselin që të mendojë zgjidhje të tjera./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki