Raportim Live

Kreu i OKB-së i bën thirrje Izraelit, SHBA-ve dhe Iranit të ndalojnë luftën

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i tha SHBA-ve dhe Izraelit se ka ardhur koha për të përfunduar luftën, dhe i bëri thirrje Iranit të ndalojë sulmet ndaj vendeve përreth.

Duke folur për gazetarët më parë, Guterres përshkroi se si njerëzit po jetojnë nën një “pasiguri të thellë”, diçka që tha se e pa me sytë e tij gjatë një vizite të fundit në Liban.

“Edhe atje lufta duhet të ndalet,” tha ai, duke i bërë thirrje Hezbollahut të ndalojë sulmet ndaj Izraelit si dhe Izraelit të ndalojë operacionet dhe sulmet ushtarake.

“Modeli i Gazës nuk duhet të riprodhohet në Liban,” shtoi ai.

Izraeli përdori fosfor të bardhë për të djegur tokën në jug të Libanit

Kur granata e serisë M825 me kalibër 155 mm shpërthen, duke nxjerrë pëlhurat e saj me fosfor të bardhë, ajo lëshon një re të dallueshme. Kështu hulumtuesit e Organizatës për të Drejtat e Njeriut thonë se arritën të verifikojnë përdorimin e këtij armamenti nga Izraeli në jug të Libanit, duke ringjallur akuzat për shkelje të ligjit të luftës.

Grupi me seli në New York tha se kishte verifikuar dhe gjeolokalizuar tetë imazhe që tregojnë shpërthime të municioneve me fosfor të bardhë mbi zona rezidenciale në qytetin jugor libanez Yohmor, gjatë ditëve të para të sulmit izraelit gjatë luftës në Gaza.

Që atëherë kanë dalë edhe video të tjera që pretendojnë të tregojnë shpërthime të fosforit të bardhë në jug të Libanit. Hulumtuesit paralajmërojnë se me 800 mijë banorë të zhvendosur pas urdhrit të forcave izraelite për t’u larguar nga zona, shumë përdorime mund të kenë mbetur të pazbuluara.

Gjatë javës së fundit, ushtarët izraelitë po përballen me rezistencë të fortë nga luftëtarët e Hezbollahut në jug të Libanit, pavarësisht fushatës intensive të bombardimeve. Së fundmi, forcat izraelite kanë bombarduar rrugë, stacione karburanti, ura dhe qendra mjekësore për të izoluar jugun e Libanit nga pjesa tjetër e vendit.

Fosfori i bardhë është një substancë kimike që shpërndahet me granata, bomba dhe raketa, e cila ndizet kur hyn në kontakt me oksigjen, djeg me temperatura deri në 800°C dhe lëshon tym të dendur. Ushtritë e përdorin për të krijuar re tymi, për të shënjuar objektivat ose për të ndriçuar terrenin natën, dhe avokatët ushtarakë thonë se përdorimi i tillë është i ligjshëm. (Lexo më shumë)

download app

Araghchi: Irani dhe SHBA-të kanë shkëmbyer mesazhe, por nuk po zhvillohen negociata

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë në një intervistë të transmetuar në kanalin televiziv shtetëror të Iranit sot se për “disa ditë” së fundmi “pala amerikane ka filluar të dërgojë mesazhe të ndryshme përmes ndërmjetësve të ndryshëm”.

Por ai ka theksuar se fakti që këto mesazhe janë “përcjellë përmes vendeve mike” dhe që Irani ka kthyer përgjigje duke shprehur “qëndrimet dhe duke dhënë paralajmërime” nuk përbën “as dialog, as negociata, as gjë të tillë”.

Araghchi gjithashtu ka thënë se politika e Iranit për momentin është të vazhdojë “mbrojtjen” dhe se ata “nuk kanë asnjë qëllim për të negociuar për tani”.

Ai ka shtuar gjithashtu se “kjo është lufta e Izraelit dhe njerëzit e rajonit dhe qytetarët e SHBA-ve po paguajnë çmimin për të”.

Mediat: Izraeli i shqetësuar që Trumpi mund të shpallë armëpushimin të shtunën

Izraeli është i shqetësuar se presidenti i SHBA-ve Donald Trump, mund të shpallë një armëpushim me Iranin që të shtunën e ardhshme, madje edhe para përfundimit të marrëveshjeve me Teheranin mbi propozimin 15-pikësh të Uashingtonit për përfundimin e luftës. Të paktën kështu raporton Channel 12, duke cituar zyrtarë të lartë izraelitë.

Si përgjigje, udhëheqja politike dhe e sigurisë e Izraelit ka hartuar gjatë ditës së fundit një plan që prioritizon objektivat në Iran për të siguruar “arritjet maksimale” para një opsioni të ndërhyrjes së SHBA-ve për të ndaluar luftimet… Lexo më shumë

Analizë/ Mesazhe kontradiktore për paqen në Gjirin Persik dhe një marrëveshje ende e largët

Teksa njëra palë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pretendon se negociatat për t’i dhënë fund luftës janë në zhvillim dhe produktive, pala tjetër, Irani, i mohon kategorikisht ato. Në këto rrethana, lind pyetja thelbësore: kujt duhet t’i besohet?

Mbetet e paqartë se çfarë po ndodh realisht në prapaskenë. A është paqja në Gjirin Persik afër, apo palët po përgatiten për një konflikt të gjatë e të kushtueshëm, i cili pritet të mbajë të larta çmimet e energjisë dhe të ndikojë ekonominë globale gjatë muajve në vijim?

Burime diplomatike sugjerojnë se mesazhet mes Uashingtonit dhe Teheranit po transmetohen, por në mënyrë indirekte, përmes ndërmjetësve si Pakistani, i cili gëzon marrëdhënie të mira me të dyja qeveritë. Megjithatë, kjo nuk përbën “negociata” në kuptimin klasik, çka mund të shpjegojë edhe mohimin e prerë të një zëdhënësi ushtarak iranian.

Ekzistojnë kanale komunikimi, por një marrëveshje duket ende e largët. Situata i ngjan ngërçit në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi–Ukrainë: të dyja palët shprehen se duan përfundimin e konfliktit, por vetëm sipas kushteve të tyre, të cilat mbeten larg njëra-tjetrës. (Lexo më shumë)

Kryebashkiaku i Teheranit: 2 mijë familje mbetën të pastreha për shkak të sulmeve amerikane-izraelite

2 mijë familje në Teheran, kryeqytetin e Iranit, kanë mbetur pa strehë që kur SHBA-të dhe Izraeli filluan bombardimet e qytetit,  kështu tha kryebashkiaku Alireza Zakani

“Ata i vranë bashkëqytetarët tanë të zakonshëm të Teheranit”, tha Alireza Zakani në një deklaratë të shkruar fillimisht në persisht.

Ai thotë gjithashtu se grave, fëmijëve dhe të moshuarve u janë shkatërruar shtëpitë.

Izraeli në garë me kohën: 48 orë për të goditur Iranin para një marrëveshjeje të mundshme

Izraeli po godet numrin më të madh të mundshëm të objektivave kyçe në Iran, nga frika se lufta mund të ndalet së shpejti.

Kështu raporton sot The New York Times, duke cituar disa burime, sipas të cilave kryeministri Benjamin Netanyahu ka urdhëruar dje që të bëhen të gjitha përpjekjet në 48 orët e ardhshme për të shkatërruar sa më shumë nga industria ushtarake iraniane.

Izraeli druhet se mund të arrihet një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit përpara se të realizohen objektivat e tij.

Irani: 5 kushtet tona për të pranuar armëpushimin

Irani ka refuzuar propozimin amerikan për ndalimin e luftës dhe ka paraqitur pesë kushte për një marrëveshje armëpushimi.

Sipas një zyrtari të lartë, kërkohet ndalimi i plotë i sulmeve nga SHBA-të dhe Izraeli, si dhe garanci që lufta të mos përsëritet. Gjithashtu, Irani kërkon kompensime për dëmet e luftës dhe përfundimin e konflikteve në të gjithë rajonin.

Një tjetër kusht është njohja ndërkombëtare e të drejtës së Iranit për të pasur kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.

Teherani kundërshton SHBA-të: Kërkesat janë të tepruara

Teherani deklaroi se kërkesat e Shteteve të Bashkuara janë të papranueshme dhe theksoi se fundi i luftës nuk vendoset nga Donald Trump.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, u shpreh se nuk mund t’i besohet diplomacisë amerikane, pas sulmeve ndaj Iranit gjatë negociatave. Ai paralajmëroi se Irani do të vazhdojë të mbrohet.

Hezbollahu: Nuk negociojmë me Izraelin, është agresor

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi se negociatat me Izraelit gjatë sulmeve përbëjnë dorëzim.

Ai theksoi se çarmatosja e grupit për të kënaqur kërkesat izraelite do të dëmtonte rëndë Libanin. Sipas tij, negociatat janë të papranueshme, për sa kohë që vazhdon pushtimi dhe agresioni.