Banka e Shqipërisë ka shtyrë vlerësimin për kthimin e ekonomisë dhe të inflacionit në ekuilibër për shkak të zhvillimeve në mjedisin ekonomik përreth vendit tonë.

Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori Gent Sejko tha se në këto muaj ka patur një goditje të ofertës në treg si dhe presione mbiçmuese në kursin e këmbimit të cilat kanë frenuar inflacionin. Për muajin prill ky tregues ishte 1.4%, larg objektivit 3 që ka vendosur banka qëndrore.

“Kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv janë shtyrë lehtë në kohë. Ky rishikim është ndikuar më së shumti nga parashikimet më pesimiste për ekonominë e huaj”.

Kreu i Bankës qëndrore tha se për 3 muajt e parë kreditimi në sektorin privat ka shënuar një rritje me 6%, por ai kërkoi që bankat të jenë më aktive në këtë drejtim, ndërsa paralajmëroi masa të reja për nxitjen e huadhënies në ekonomi.

 “Do merren masa të tjera si mjaftueshmëria e kapitalit të bankave, stimulimi i kreditimit, nxitja e bankave që depozitat të përktheheshin në kredi për ekonominë sesa të mbaheshin jashtë si depozita”.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut në 1%, por ndryshe nga daljet e tjera publike, ku është deklaruar një rritje e kësaj norme në të ardhmen, guvernatori theksoi se në kushtet e sotme të ekonomisë politika monetare do të vazhdojë të jetë akomoduese, duke pranuar skenarin e një ulje të mëtejshme të saj.

Më herët gjatë të mërkurës, guvernatori mbajti raportin vjetor në Kuvendin e Shqipërisë ku tha se ekonomia gjatë 2018 shënoi progres, ndërsa theksoi se risku kryesor për sistemin bankar janë kreditë e këqija.

Tv Klan