Pas reagimit të institucioneve ndërkombëtare dhe bizneseve të huaja që operojnë në Shqipëri, edhe Banka e Shqipërisë është e shqetësuar për situatën politike të krijuar në vend. Guvernatori Gent Sejko tha se çdo krizë politike sjell ndikime në ekonominë vendase.

Kreu i Bankës Qëndrore e bëri thirrjen gjatë një aktiviteti ku po përurohej libri “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkëudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”. Gent Sejko nënvizoi se mungesa e stabilitetit politik vonon reformat dhe ngadalëson rritjen ekonomike.

Dy ditë më parë edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehu shqetësimin se situata politike në vend do të prodhojë një periudhë stanjacioni për bizneset që operojnë në Shqipëri, pasi do të lërë në pritje investimet e tyre. Mark Crawford tha se efekti më i madh do të jetë te stepja e bizneseve që e shohin Shqipërinë si një vend potencial për të ardhur dhe investuar.

Tv Klan