Dy gjigantët europianë ofertë konkrete për mbrojtësin Achraf Hakimi

Kriza ekonomike ka goditur edhe një klub kampion si Inter që tanimë po mendon emrin e futbollistit që do sakrifikohet për të mbushur arkat. Achraf Hakimi duket se është ai që ka më shumë kërkesa, me Chelsea dhe Paris Sainy Germain që kanë nisur një betejë në merkato për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit. Blutë e Londrës janë më të favorizuar, pasi duke iu referuar mediave britanike, Chelsea ka arritur të gjejë akordin me futbollistin maroken.

Por ajo që nuk bind të paktën për momentin është oferta në drejtim të Interit. Skuadra e Abramoviç është gati të paguajë vetëm 60 milionë euro për kartonin e mbrojtësit, ofertë e ulët në krahasim me atë të Paris Saint Germain. Gjigantët francezë e pëlqejnë së tepërmi futbollistin dhe për ta bërë të tyrin ofrojnë plot 70 milionë euro.

Aktualisht topi mbetet në fushën e Interit që duhet të zgjedh destinacionin më të mirë për futbollistin, por edhe shumën që do përfitojë prej tij. Një vit më parë Inter pagoi 40 milionë euro te Real Madrid për të firmosur me Hakimin, i cili përmbushi pritshmëritë e drejtuesve dhe trajnerit Conte, duke kontribuar me gola dhe asiste në 45 paraqitjet e tij në sezonin që sapo u mbyll.

Klan News