Dështimi i marrëveshjes, tregues i mungesës së unitetit

Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Europian dështuan edhe në ditën e tretë të samitit për të arritur marrëveshjen e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë.

Sot mbahet takimi i katërt dhe në tavolinë qëndron një tjetër propozim i Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, i cili e ka ulur fondin e granteve në 390 miliardë dollarë nga 500 që ishte fillimisht. 

Është pikërisht ky fond dhe mënyra e alokimit të tij që i ndan palët. Nga njëra janë vendet e pasura të veriut të Europës si Holanda, Austria, Finlanda Suedia dhe Danimarka që nuk janë dakord për kaq shumë grante falas, duke kërkuar më shumë kredi për vendet me të prekura nga pandemia e koronavirusit dhe monitorim të rreptë të mënyrës së shpërndarjes së parave.

Nga ana tjetër është Italia, Spanja, Greqia dhe Portugalia, të cilat kërkojnë më shumë subvencione dhe mbështetje financiare si vendet më të prekura nga kriza.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ndërkohë e quan një luftë të hapur mes Italisë dhe Holandës, duke akuzuar këtë të fundit se kërkon të krijojë një mekanizëm për të kontrolluar shpenzimet e vendeve jugore nga Fondi i Rimëkëmbjes.

Por debatet e ashpra, tensionet dhe orët e stërgjatura të bisedimeve kanë treguar një ndarje të madhe mes veriut dhe jugut të Europës. Mosarritja e një marrëveshje do të shtronte pyetje serioze në lidhje me qëndrueshmërinë e vazhdueshme të bllokut, ndaj dhe ekspertët, por edhe zyrtarë të lartë e shohin atë domosdoshmëri për të ardhmen e unionit.

Tv Klan