Apelit la në fuqi vendimin me shërbim provë dhe 5 vite të mos ushtrojë funksione publike

Ish-kryebashkiaku i Hasit Adem Lala dënohet për shpërdorim detyre. Apeli i Gjykatës së Posaçme la në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë. Lala u dënua me 1 vit e 4 muaj burg, që iu konvertua në shërbim prove dhe për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

SPAK e akuzoi ish-kreybashkiakun për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Adem Lala u akuzua për përfshirje në privatizimin në mënyrë të padrejtë të një aseti publik të Bashkisë Has gjatë periudhës kur ushtronte detyrën, por më pas procedura u anulua.

Gjatë procesit gjyqësor Lala ka dhënë shpjegime duke sqaruar se nuk kishte kryer asnjë shkelje ligjore në lidhje me nisjen e procedurës për privatizimin e objektit. Adem Lala, mori postin e kryebashkiakut të Hasit në vitin 2015 nën siglën e koalicionit PS-LSI.

Këtë detyrë e ushtroi për 4 vite pasi gjatë zgjedhjeve vendore të 30 Qeshorit të 2019 drejtimi i Hasit iu besua Liman Morinës. Lala është me profesion ushtarak, ai ka qenë për dy mandate edhe kryetar i komunës Golaj, në Kukës. Lala ishte zyrtari i parë nga qeverisja vendore që u mor i pandehur nga SPAK dhe u dënua. Çështja ndaj tij nisi fillimisht nga prokuroria e Kukësit, e më pas iu transferua Prokurorisë së Posaçme.

Klan News