Prototipi i kompanisë së Elon Musk shpërtheu në momentin e uljes në Tokë

Dështon testimi mbi raketën SN9 të Space X. prototipi i kompanisë së multimiliarderit Elon Musk ka shpërthyer në momentin e uljes në Tokë. Në këtë tentativë, që është e dyta, raketa arriti të ngrihej në rreth 12 km lartësi, por në fazën e kthimit, humbi vertikalitetin dhe u përplas në sipërfaqe, duke u shoqëruar me një shpërthim të fuqishëm. Rreziku tjetër ishte pikërisht se u rrëzua pranë platformës dhe shumë pranë prototipit tjetër Sn10, që për momentin mendohet se ka pësuar disa dëme nga detritet.

Por edhe gjatë fluturimit, raketa ka shfaqur disa anomali, si zjarre të vogla kronike dhe rrjedhje karburanti.

Këto raketa janë të projektuara që në të ardhmen të përmbushin misionin e shumëpritur të kreut të kompanisë, për transportimin e njerëzve në planetin Mars. Projekti ambicioz i njeriut më të pasur të botës Elon Musk parashikon instalimin e kolonive humane në planetin e kuq.

Klan News