Papa Françesku bën thirrje për pajtim kombëtar

Teksa dita e 8 e protestave për vrasjen nga policia të afro-amerikanit George Floyd ka qenë me e qetë, duket se dhuna po përqendrohet në qytetet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara, në New York e Washington.

Qindra manifestues bllokuan urën e Manhatanit, ndërsa dhuna u shtri edhe në bulevardin e famshëm “Fifth Avenue”. Policët përdorën gaz lotsjellës për të larguar manifestuesit e dhunshëm, të cilët sulmuan e plaçkitën edhe dyqane luksoze. Gaz lotsjellës edhe në Washington kundër protestuesve, të cilët vijojnë të mbajnë të rrethuar Shtëpinë e Bardhë.

Aktet e dhunës që kanë përfshirë një pjesë të mirë të Shteteve të Bashkuara, por edhe vrasja makabre e 46-vjeçarit afro-amerikan kanë ngjallur reagime në gjithë botën. Papa Françesku kërkoi pajtim kombëtar në Shtetet e Bashkuara, duke kërkuar shmangien e dhunës.

Por Ati i Shenjtë e konsideroi racizmin, të patolerueshëm. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres kërkoi vetëpërmbajtje. Bashkimi Europian dhe Gjermani kërkuan shmangien e akteve të dhunës në protesta, të cilat i quajtën legjitime pasi racizmi është i papranueshëm.

Tv Klan