Flakët kanë mbërritur në kodrat e Tragjasit

Për të shtatën ditë me radhë Karaburuni vijon të digjet. Këto janë pamjet që të ofronte mbrëmë natën e gjithë pjesa veriore e gadishullit, ku flakët kanë përparuar në drejtim të zonave të banuara. Ndërsa kjo është situata këtë të hënë ku zjarri ka zbritur poshtë në afërsi të fshatit Tragjas dhe ka përparuar në drejtim të Pashalimanit.

Krahas mjeteve të zjarrfikëseve dhe ushtarëve nga toka gjatë gjithë kësaj të hëne një helikopter ushtarak është përpjekur të izolojë flakët duke hedhur ujë nga ajri. Gjithashtu një tjetër vatër e madhe zjarri është në lartesinë e Karaburunit ku dhe është më e vështirë ndërhyrja nga toka.

Djegia e pyjeve dhe kullotave në Karaburun ka shkaktuar edhe re të mëdha tymi të cilat kanë mbuluar Orikumin dhe zonën bregdetare përreth. Një tjetër zjarr ra mbrëmjen e djeshme edhe në zonën e By Pass-it të Vlorës, ku gjithashtu flakët dogjën sipërfaqe të mëdha kullotash e shkurresh.

Por falë afërsisë me rrugën ndërhyrja e zjarrfikëseve ka qenë efikase dhe zjarri është fikur vonë pas mesnate. Gjithashtu është raportuar se është fikur edhe zjarri në zonën e Mamurrasit në Kurbin.

Tv Klan