Në Pukë ndërhyhet nga ajri me helikopter, nuk rrezikohen banesa

Mbetet aktive një vatër zjarri e përhapur në Pukë. Ditën e sotme janë angazhuar 150 forca ushtrie, 10 forca zjarrfikëse dhe 20 punonjës nga bashkia, si dhe 2 helikopterë për shuarjen e flakëve. Nga një komunikim në telefon me shefin e zjarrfikëses së Pukës situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll, nuk rrezikohen banesa.

Vijojnë operacionet e helikopterëve për vënien nën kontroll të flakëve në malin e Tërbunit. Ndërkohë më shumë se 100 forca të Ushtrisë, Shërbimit Pyjor, Shërbimit Zjarrfikës dhe Shërbimeve Komunitare janë angazhuar për shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.

Vijon të mbetet aktive vatra e zjarrit në zonën pranë Qafë Kumbullës, në Thirrë të Mirditës. Erërat e forta mbeten shkaku kryesor i shpërndarjes së hartës së zjarrit, pavarësisht forcave në terren që po punojnë për izolimin e tyre.

Aktualisht në terren po punojnë për fikjen e zjarrit rreth 60 forca të ushtrisë, punonjës të Policisë së Shtetit dhe forcave zjarrfikëse, por për shkak të terrenit të vështirë edhe mundësitë për izolimin e zjarrit janë të vogla.

Po ashtu në malin e Munellës ka një aktivizim në të gjithë zonën, pavarësisht se ende nuk ka rrezik për banesat. Ndërkohë në juglindje të vendit pas tre ditësh është arritur të fiket plotësisht vatra e fundit aktive në këtë zonë, ajo në fshatin Mbreshtan të Kolonjës ku u përfshi nga flakët një sipërfaqe me pyje.

Klan News