Presidenti Putin propozon ndryshime kushtetuese

Jep dorëheqjen kryeministri rus Dmitri Medvedjev pak orë pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli ndryshimet kushtetuese, të cilat do të miratohen me referendum popullor.

Dorëheqjen, Medvedjev dhe e gjithë qeveria e tij e dha pasi Putin e propozoi atë për zv/kryetar të Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Në vend të tij në krye të qeverisë, Putin emëroi si kryeministër Mikail Mishustinin, shefin aktual të shërbimit të taksave.

Lëvizjet erdhën pasi shefi i Kremlinit shpalli ndryshimet rrënjësore të kushtetutës. Një prej pikave kryesore është zgjerimi i kompetencave të Dumës, dhomës së ulët të parlamentit në përzgjedhjen e kandidatëve për kryeministër. Sipas ligjeve aktuale, vetëm presidenti emëron kryeministrin dhe parlamenti e voton.

Zgjerim kompetencash edhe për Këshillin Shtetëror, që përzgjedh dhe bën pjesë të tij krerët e rajoneve. Po ashtu, presidenti nuk do lejohet të zgjidhet më shumë se dy mandate pa ndërprerje.

Ndryshimet parashikojnë edhe kufizimin e supremacisë së ligjeve ndërkombëtare.

Planet e Putinit përfshijnë edhe reduktimin e ndjeshëm të taksave për familjet e mëdha, me qëllim shtimin e popullsisë. Për analistët, ndryshimet janë të papritura dhe të mbuluara me shumë të panjohura, ndërsa për opozitën, presidenti synon të shndërrojë në pronë të vetë gjithë shtetin.

Tv Klan