Raportim Live

Çfarë u tha në mbledhje (e plotë)

download app

Kryeministri: Belindës i uroj fatin që meriton, në betejën ligjore ka vetëm dy avokatët e saj

“Nuk kam më asgjë për t’i provuar vetes time, e kam sprovuar veten në çdo nivel, qoftë si njeri këtu, qoftë si shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Ne dhe vetëm ne jemi garantët e pavarësisë së drejtësisë, edhe sot konkretisht me mënyrën si po i qasemi kërkesës për të autorizuar arrestin e një deputeteje, ne po e provojmë katërçipërisht edhe këtë.

Po, katërcipërisht! Unë fola gjatë deri këtu, por as ju dhe askush që ka arritur të dëgjojë ato që kam thënë deri tani, nuk keni dëgjuar asnjë llaf që të lëndojë autoritetin e prokurorit, që të hedhë poshtë motivin e hetimit, që të bëjë avokatinë e Belinda Ballukut lidhur me çështjen, e lërë pastaj të angazhojë këtë fuqi të madhe që merr para të madh e të vogël, për t’i vendosur përballë prokurorëve një mur me presion! Zero.

Sepse unë e respektoj plotësisht pavarësinë e prokurorit, të hetojë edhe një bashkëpunëtor të ngushtë, si dhe të drejtën time që në asnjë mënyrë të mos bëhem avokat i saj.

Kështu që, unë sot e falenderoj sot Belindën për punën e madhe që i besova këto 6 vite me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që meriton në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj!

I kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të 3 kërkesave për dorëheqje.

I kam refuzuar pikërisht dhe vetëm sepse drejtësia, pushteti i pavarur gjyqësor u kuturis pa ose me dashje, këtë do ta mësojmë dhe të jeni të sigurt që po e mësova do t’ua tregoj, në territorin e pavarësisë së pushtetit të pavarur ekzekutiv dhe legjislativ”, tha Rama në mbyllje të fjalës së tij.

Rama “kyç” gojën live/ Herës tjetër, prokurorët të vijnë të armatosur me prova

“Këtu prokurori kërkon, gjykatësi vrapon. Por në emrin tonë, jo. Me votën tonë, jo. Herë tjetër kur të vijë në Kuvend për të kërkuar… jo imunitetin, se është keqkuptim i madh, nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj procesit penal për asnjë nga ne që është këtu.

Në Shqipëri ne nuk e kemi, e kemi hequr me konsensus në 2012. Ne kemi vetëm kufizimin ose jo të lirisë. Pra, një person hetohet në gjendje të lirë apo të shkojë në burg me votimin tonë. E ne të çojmë në burg një deputet me votën tonë me këtë argument? Kur të vijë për të kërkuar heqjen e lirisë herë tjetër, prokurorët të vijnë të armatosur me prova, siç kanë ardhur herë të tjera“, shtroi Rama para socialistëve.

Bazuar në kërkesën që drejtësia të bëjë punën e saj, Rama u shpreh “Bëni ç’keni për të bërë dhe…”, duke bërë me shenjë ‘kyçjen e gojës’.

16 mijë faqe dosje për Ballukun? Një kolpo e bukur propagandistike

“Bëjini vetes një pyetje, ku ndryshojmë ne? Ku duhet të ndryshojmë ne, shqiptarët e sotëm, pavarësisht bindjeve, me ata që regjimi komunist i deshi me doemos të pushkatur, pasi ua bëri fillimisht gjyqin në gazetë, radio, televizion dhe i dënoi në emër të popullit, pa u dhënë të drejtën as të mbrohen në sytë e popullit?! Kjo e vërtetë e madhe quhet prezumi i pafajësisë”, tha kreu i qeverisë.

Parimin e prezumimit të pafajësisë e quajti viktimën më të madhe të reformës në drejtësi. Më tej, u ndal veçanërisht te volumi i dosjes së Ballukut.

“Unë kam edhe një problem tjetër, materiali shumë voluminoz, 16 mijë faqe, është në fakt tregues i dobësisë së madhe që ka kërkesa. Janë një kolpo e bukur propagandistike, për t’u çuar fjalë se janë 16 mijë faqe me vjedhje.

Aty janë vendime, urdhëresa, prokurime, e marrë me kamion dhe të çuar për t’u futur në dosje, që nëse përbën provë për diçka, është prova më e fortë e serioze për Ministrinë.

Unë do t’i ktheja mbrapsht ato 16 mijë faqe, si qasje jo serioze, për mua ofenduese, por mbase unë ofendohem lehtë. I mbani mend kur keni qenë fëmijë ato pasqyrat e thyera, që të dukej sikur të vinte dielli përballë?! Ashtu janë ato 16 mijë faqet.

Profesori Stavri Çeço, thoshte, kur s’ka prova bindëse, shkruhet gjatë se flet prokurori, kur shkruhet shkurt, flasin provat!

Foli edhe për një inçizim që sipas tij është totalisht manipulim, por paraqitet si provë.

“Më e rënda sipas meje, është diçka tjetër, paraqitja e një inçizimi mes një të pandehure me një bashkëbiseduese, ku e pandehura sipas prokurorit, na qenkërka kërcënuar. Ku sipas shokëve të Këshillit të Mandateve, nuk përmend asgjëkundi në atë bisedë, Belinda, ministrja apo ndonjë gjë që të duket si kërcënim real. Unë vetë as nuk e kam dëgjuar, as nuk kam ndërmend, i kam tmerr këto forma, por drejtësia ka detyrën e vetë t’i përdorë.

Thotë Belinda më ka vënë në fyt një thikë që kishte edhe disa pika gjaku të tharë dhe më ka thënë do të të vras, po nuk the kështu e po nuk the ashtu. Po e marr këtë që kanë sjellë, tani si mund të vihet në Kuvend me kaq? Me muhabet telefoni, pa bërë asnjë ballafaqim, asnjë kryqëzim dëshmish se kur ndodhi?”, tha Rama.

“E dimë se kush jeni”, mesazhi i Ramës: Po luftoni projektin e Porto Romanos, por do dështoni

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur sot në 9 mars në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku u vendos që Partia Socialiste mos të japë dakordësinë për heqjen e lirisë të ish-zv kryeministres Balluku, tha se ish-vartësja e tij ka bërë një punë tepër të madhe në transformimin e infrastrukturës së vendit.

Rama përmendi ndër të tjera faktin që Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës sot ka kapacitetin më të madh të pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor, duke kaluar edhe Aeroportin e Beogradit. Lexo më shumë

“Pafajësinë apo fajësinë e Ballukut e vendos vetëm procesi gjyqësor”

“Mbi 35 mld lekë investime në këtë sektor, arkëtimet kanë shkuar në nivel rekord, me 11.2 mld lekë në 2024-ën, rritje me 13%, ndërkohë që pagesa e faturave që nuk paguan energjinë ka arritur në 93%. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë arritur të mbulojnë kostot e operimit dhe mirëmbajtjes. Kanë përfunduar mbi 200 projekte, rrjete kanalizime, impiante, të shpërndara në të gjitha qarqet”, teksa foli me shifra e konkretisht për arritjes në dy sektorë strategjikë, që ka drejtuar Belinda Balluku si ministre, kryeministri Edi Rama theksoi se përtej këtyre fakteve “pafajësinë apo fajësinë e përcakton vetëm procesi gjyqësor”.

“E di se kjo do gjuhet e pështyhet si të ishte fletë lavdërimi me foton e saj, por faktet janë fakte! Nuk janë faktet e pafajësisë, apo të amnistisë, për çfarëdo faji mund të ketë bërë Belinda, të cilin sidoqoftë nuk e përcaktojnë as dy prokurorë, as dy uturakë që nxjerrin urrejtjen ndaj nesh, duke pastruar para, në sytë e mbyllur të Prokurorisë! Nuk e përcaktojnë as të gjitha tenxheret bashkë, fajësinë apo pafajësinë e përcakton vetëm procesi gjyqësor”, deklaroi Rama.

Rama: Do ndërtojmë rreth 530 km hekurudhë

Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të ndërtohen, me plan konkret, rreth 530 km hekurudhë.

“Dua t’i ftoj të gjithë, që t’ja heqim për një çast vendin të gjitha këto arterie të reja dhe ta marrin edhe një herë nëpër mend rrugën e vjetër të Dibrës, kur t’i thoshe Peshkopi, në fakt nuk ishe akoma në Burrel. Të ikin njëherë për Sarandë nga Gjirokastra me atë rrugën me rrotullime. Të provojnë Ersekën nga ajo rruga e mëparshme, që dikur e bëri një shokun tonë t’u thoshte kolonjarëve, çudi si e votoni PS-në.

Duke udhëtuar nëpër Shqipërinë e infrastrukturës së ububushme, mjafton një udhëtim i shpejtë mbrapsht në kohë, për të pranuar pa  asnjë gajle vlerën e punës së bërë.

Tanimë ne nuk kemi thjesht një synim, por një plan konkret për të ndërtuar rreth 530 km hekurudhë të elektrifikuar dhe të integruar në rrjetet europiane. Hekurudha Durrës-Tiranë, aktualisht në ndërtim, do jetë me 12 stacione përgjatë saj, e cila do të nisë operimet në fillim të vitit të ardhshëm.

Ka përfunduar studimi i fizibilitetit për Hekurudhën e Kombit, me 14 tunele dhe 43 ura. Po studiohet edhe ndërtimi i hekurudhës Durrës-Vlorë”, tha kreu i qeverisë.

Rama: Balluku bëri ndryshime epokale në infrastrukturë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku biseduan në lidhje me raportin për autorizimin ose jo të SPAK për heqjen e lirisë për ish-zv kryeministren Belinda Balluku, u shpreh se ish-ministrja u vu në shënjestër të opozitës.

Rama deklaroi se ndaj Ballukut nuk ka akuza të rënda për korrupsion apo vjedhje, por thjesht një akuzë për shkelje të barazisë në tendera. lexo më shumë

“Nuk i mbaj dot pishën asnjë bashkëpunëtori”, Rama për Ballukun: S’e shpall hero, e as viktimë!

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se fuqia politike (edhe pa qenë në ekzekutiv) dhe votëbesimi i qytetarëve për Belinda Ballukun do të shihet sidomos në zgjedhjet e afërta vendore të Fierit. Rreshtoi edhe arritjet e saj në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Ajo që di me siguri, si nga të paktat që mban kontaktet me territorin, nuk kam në plan ta shpall as hero e as viktimë sot, dhe uroj që në hetimin e çështjes, Prokuroria të shterrojë çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni. Në fund të ditës, gjithkush pas të 18-ave, varet vetëm nga këmbët e veta, me ligj dhe zakon. Ndërkohë, unë si kryeministër, nuk e kam as të mundur, e as të lejuar, qoftë nga ligji apo zakoni, që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori.

Nuk kam ndërmend t’u them që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, sidomos kur i thota koka që ka të drejtë. Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel vijën e kuqe që e kam vizatuar në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësi. Nga ana tjetër, nuk kam ndërmend as që në një moment si ky t’i lë pa përmendur transformimet e mëdha në dy sektorë që ministrja ka ndjekur, pa ndaluar asnjë ditë, gjatë këtyre 6 viteve në vendin tonë janë ndërtuar dhe rindërtuar rreth 1 mijë km të rrjetit rrugor kombëtar!

40 kantiere janë aktualisht të hapura dhe do jenë vlerë e shtuar e Shqipërisë në BE, që nga aksi Elbasan-Rrogozhinë, te Elbasan-Qafë Thana, që po ashtu mbyllet në 2027-ën, duke i vënë në dispozicion Shqipërisë, por edhe NATO-s, Korridorin e VIII.”