SHBA dhe Rusia gati që të shkëmbejnë kriminelët

48 orë përpara takimit të parë mes Biden e Putin në Gjeneve presidenti i Rusisë ka thënë se vendi i tij është i gatshëm të dorëzojë kriminelët kibernetikë në Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse të njëjtën gjë e bën edhe Uashingtoni.

Putin tha se shkëmbimi i krimineleve mund të arrihej përmes një marrëveshjeje mes dy vendeve. Sipas kreut të Kremlinit  takimi i Gjenevës të ndihmojë në vendosjen e dialogut dypalësh dhe ringjalljen e kontakteve personale.

“Kam pershtypjen se takimi me presidentin amerikan do të ndihmojë për rivendosjen e kontakteve, marrëdhënieve tona, krijimin e një dialogu të drejtpërdrejtë, krijimin e një mekanizmi funksionues për veprim në ato zona që janë me interes të përbashkët. Ka interesa të tilla. Edhe pala amerikane po flet për të njëjtën gjë. Dhe në përgjithësi jam dakord me ta që në të vërtetë ka disa çështje me interes të ndërsjellë si stabiliteti strategjik, konfliktet rajonale, shqetësimi për mjedisin në një kuptim global. Këto janë çështjet në të cilat ne mund të punojmë në mënyrë efektive”, është shprehur Putin.

Edhe shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Biden në takim do të ngrejë çështjen e sulmeve kibernetike, të cilat kanë tensionuar raportet mes dy vendeve. SHBA-ja prej kohësh e ka akuzuar Rusinë edhe për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.

Kjo çështje u aktualizua se fundmi, pasi një grup hakereash që autoritetet amerikane pretendojnë se operon nga Rusia, sulmoi rrjetin e një gazsjellësi në SHBA.

Përveç sulmeve kibernetike, presidenti Biden pritet të diskutojë edhe për veprimet e Moskës në Ukrainë dhe trajtimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

Pas samitit të G7 Biden tha se Shtetet e Bashkuara duan një marrëdhënie “të qëndrueshme” me Moskën në mënyrë që të punojnë bashkë për çështje të përbashkëta strategjike, siç janë kontrolli i armëve dhe ndryshimi i klimës. Gjithsesi raportet mes dy shteteve kohët e fundit nuk kane qene te ngrohta pasi Rusia përfshiu SHBA në listën e saj zyrtare të “shteteve jo miqësore”.

Mes Rusisë e SHBA nuk ka aktualisht përfaqësim në rang ambasadoresh. Zyrtarët e lartë rusë janë nën sanksione amerikane që nga aneksimi i Krimesë së Ukrainës deri te ndërhyrja e pretenduar ne zgjedhjet amerikane. Dy ish-marinsa amerikanë mbahen në burgjet ruse të  akuzuar për spiunazh.

Biden pritet të sigurojë aleatët për angazhimin e SHBA ndaj klauzolës së NATO-d për mbrojtjen reciproke

Në një interviste në muajin Mars presidenti Biden shkoi shumë larg kur ra dakord me një gazetar se Vladimir Putin ishte “një vrasës”. Para pak orësh Putin i tha TV shtetëror rus se ka “çështje ku të dy palët mund të punojmë së bashku. Nëse mund të krijojmë mekanizma për të punuar në ato çështje, atëherë mendoj se mund të themi që samiti nuk ishte i kotë,” argumentoi Putin.

Klan News