Tirana, Shkodra dhe Elbasani me shtretër të lirë

Pas Tiranës, edhe pavioni Covid në spitalin e Durrësit po shkon drejt mbushjes me pacientë. Nga 70 shtretër të vendosura në dispozicion për trajtimin e pacientëve me Covid, janë shtruar 68 persona. Ndërkohë që 20 paciente të tjerë janë duke qëndruar në  urgjencë nëse duhet të shtrohen në spital apo do të ndiqen në banesë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në spital janë paraqitur 28 persona me shenja klinike të Covid, por vetëm 8 prej tyre janë shtruar në spital. Bluzat e bardha thonë se pas rikuperimit disa  pacientë lënë ambientet e spitalit.

Spitali i Durrësit u hap më 16 Shkurt për të lehtësuar fluksin e urgjencave drejtuar 4 spitaleve Covid në Tiranë. Vetëm në ditën e parë të hapjes në spitalin e Durrësit u shtruan 50 të shtruar, pozitiv Covid dhe të dyshuar.

Një situatë më e mirë paraqitet në Spitalin e Shkodrës ku rezultojnë të shtruar 22 pacientë nga 90 shtretër të vendosur në dispozicion. Në 16 Shkurt në këtë spital rezultonin të shtruar 17 pacientë, ndërsa 8 ditë më pas rezultojnë 5 pacientë të shtruar më shumë.

Në pavionin Covid në spitalin e Elbasanit që u hap ditën e martë, ka vetëm 4 pacientë. Ai ka në dispozicion 81 shtretër.

Në total 3 spitalet Covid në Elbasan, Durrës dhe Shkodër kanë 241 shtretër, por vetëm Durrësi ka numrin më të lartë të të shtruarve.

Sipas autoriteteve shëndetësore, hapja e tre spitaleve rajonale është bërë për të mos ezauruar kapacitetet e spitaleve Covid në Tiranë të cilët do të merren me rastet e rënda që kërkojnë hospitalizim. Në Tiranë janë 600 shtretër, duke e çuar në total numrin e shtretërve në 841 bashkë me 3 spitalet rajonal. Të martën rezultonin 648 persona të shtruar në 4 spitalet Covid në Tiranë dhe 3 ato rajonal.

Tv Klan